Sunday, February 19, 2012

Speciale nga nata e parë e BB5, kush janë 15 konkurrentët



Ka nisur me emocione dhe surpriza nata e parë e reality show Big Brother Albania.

Reality show që transmetohet në “Top Channel” edhe këtë vit prezantohet nga moderatorja e njohur Abana Osmani. Në natën e parë u prezantuan 15 konkurrentë, 9 djem dhe 5 vajza. Por sipas rregullave të spektaklit, asnjë prej tyre nuk do të jetë banorë i konfirmuar derisa “Vëllai i madh” të vendos. Çmimi i madh që do t’i shkojë fituesit këtë vit do të jetë 100 milion lekë dhe me siguri, do të ndryshojë jetën e njërit prej banorëve.

Nisja e spektaklit Big Brother 5 ka sjellë dhe një herë për publikun konkurrentët e edicionit të kaluar. Moderatorja Arbana Osmani ftoi publikun të njihet me atmosferën jashtë shtëpisë së BB. Aty gjendet Arbri, fituesi i edicionit të parë të Big Brother, i cili udhëheq teleshikuesit drejt ambienteve të brendshme të shtëpisë.

Teksa Arbri hyn në shtëpi, në sallon ndodhej Qetësori, i cili po gatuante. Arbana fton Arbrin të drejtohet për në dhomën e gjumit, ku gjejnë Ermelën. Ajo provon krevatet dhe sëbashku me Qetësorin dhe Arbanën komentojnë se shtëpia është e kuruar deri në detaje dhe e ideuar me shumë shije.

Më pas në zonën e saunës është Jetmiri, të cilin Qetësori e thërret t’i bashkohet që të darkojnë. Qetësori drejtohet për tek dhoma e rrëfimit ku gjen Adelën dhe Bjordin, që kërkojnë të qëndrojnë vetëm, por Qetësori bën shaka e nuk i lë të qetë.

Konkurrentja e parë 

Ajo është një vajzë, quhet Gentiana, dhe Big Brother për të është një sfidë që do t’i ndryshojë jetën. Genta tregon se vjen nga Devolli dhe kërkon të bëhet e njohur me anë të këtij formati.

 

Genta hyri në shtëpinë e BB dhe komentoi me Arbanën se shtëpia është shumë e bukur, dhe është gati e pamundur t’a përshkruajë me fjalë. Arbana bën me dije Gentianën se asaj do t’i ngarkohet një mision shumë i rëndësishëm. Konkurenti i dytë që prezantohet është një djalë nga Prishtina, i quajtur Mehmet, por të gjithë e njohin me emrin Meti. Ai është model dhe është fëmija më i përkëdhelur mes pesë motrave e tre vëllezërve. Jeta e tij është si një film, e çdo ngjarje që i ka ndodhur e ka bërë më të fortë. Meti tregon se prej disa vitesh luan me një ekip futbolli. Banori i tretë, është Ermali, i cili vjen nga Tirana. Bota e spektaklit nuk është e panjohur për të dhe Big Brother-in e sheh si një trampolinë drejt televizionit.

Gentianës ju caktua një detyrë shumë të rëndësishme këtë javë, që lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin e tre djemve në shtëpi. Moderatorja i komunikoi Gentianës misionin që i është ngarkuar dhe i kërkon të hapë një kuti një gjendej në kolltuk. Aty ka dy shirita për dy nga djemtë që tashmë kanë hyrë në shtëpi.

Këtë javë, Gentiana duhet të njihet më mirë me ta, sepse javën e ardhshme, njëri nga të tre rrezikon daljen nga shtëpia. Të shtunën e ardhshme, ajo do të vendosë dy shiritat, dy djemve që ajo zgjedh të qëndrojnë në shtëpi. Vetëm dy nga tre djemtë do sigurojnë qëndrimin në shtëpi. Gentiana është e plotfuqishme për këtë javë.

Detyrat që djemtë duhet të përmbushin këtë javë janë: 5 komplimente secili për Gentianën (që duhet t’ia thonë në moment), leksione modelingu dhe photoshooting (duke qenë se ata janë marrë të tre me modën, duhet t’i mësojnë edhe Gentës), masazhe relaksuese, gatime speciale, t’i mësojnë not e të bëjnë nga një pikturë, ku modelja do të jetë vetë Genta.

Hyrje e jashtëzakonshme

Mënyra e hyrjes së njërit prej konkurrentëve në shtëpinë e Big Brother ishte e jashtëzakonshme, gjë që nuk ka ndodhur më parë në historinë e Big Brother. Konkurrenti që hyri në shtëpi, nuk e dinte që ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Ai ndodhej në shtëpinë e tij, por Arbana pati një lidhje direkte me të. Graciano, është emri i djalit, i cili i habitur sheh veten në Tv. Arbana i komunikoi se ai është tashmë i përzgjedhur për të qenë konkurent në BB5, e do të niset menjëherë drejt shtëpisë. Graciano e pret me shumë emocion këtë lajm e gati i duket e pabesueshme.

Pas Ermalit, konkurenti quhet Elvis, është 23 vjeç dhe vjen nga Gjakova. Në këtë edicion të pestë, opinionit do të jetë Arjan Konomi, i cili rikthehet ne Big Brother pas eksperiencës ne edicionin e dyte dhe te trete.

Hyrjet e tjera

Hyrjet në shtëpinë e Big Brother-it vazhduan gjatë gjithë mbrëmjes. Më pas hyri një vajzë, e quajtur Arjola, e cila vjen nga Pogradeci. Ajo studion për juridik në Tiranë dhe kohën e lirë e kalon me shoqërinë. Konkurenti tjetër është Edgari, i cili vjen nga Tirana dhe Big Brother për të është thjesht sfida e rradhës. Ai është 52 vjeç, me profesion inxhinier, por drejton një emision në radio.

Pas Edgarit, do të njihemi me Emirjetën, e cila është një nënë 29 vjeçare nga Shkodra. Emirjeta është një vajzë shumë ambicioze dhe solare. Megjithëse ka ndërtuar familje në moshë të re, nuk është ndjerë aspak e kufizuar për të bërë gjërat që ka dashur në jetë. Big Brother është një prej tyre, por e vetmja gjë që do t’i mungoje pafund është djali i saj, Ergi.

Emirjetës i është rezervuar një surprizë menjëherë, ku pasi prezantohet klipi i saj, djali dhe bashkëshorti i saj gjenden në oborrin e shtëpisë së BB, për të festuar ditëlindjen e Ergit (djalit të saj). Pasi i uron ditëlindjen Ergit, është çasti që Ermirjeta të hyjë në shtëpinë e BB.

Konkurrenti tjetër ishte Floriani, ai vjen nga Baldushku, është një djalë shumë i ëmbël dhe i turpshëm. Flori studion për diplomaci, por gjithashtu ka një biznes të tijin. Sonte, hyrja për të në shtëpi nuk do të jetë aq e thjeshtë. Flori i afrohet hyrjes së shtëpisë, por dera nuk hapet. Në atë moment, pranë tij vjen një vajzë, që do t’i vijë në ndihmë. Ajo realisht është konkurrente e BB, por hiqet si pjesëtare e stafit te produksionit. Besarda e mundon Florin me disa çelësa, duke u munduar ta vërë në siklet.

Pasi ia arrijnë qëllimit të hapin derën e BB, Besarda e Flori i bashkohen konkurrentëve të tjerë brenda shtëpisë. Albulena është një konkurrente tjetër e përzgjedhur nga Vellai i Madh. Ajo vjen nga Prishtina, por ka jetuar kudo nëpër botë. Pas Albulenës, radha është për një konkurrent, më një eksperiencë jetë krejt të veçantë. Ai quhet Erion, e ka jetuar që në moshën tre vjeçare në Greqi. Së fundi kthehet në Tiranë, në vendin e tij të lindjes për të filluar çdo gjë nga zero.

Supriza për Gracianon

Për Gracianon, nuk ka klip prezantimi pasi hyrja e tij ishte surprizë. Graciano është 20 vjeç, vjen nga Tirana dhe është balerin. Ai ka patur një sërë eksperiencash televizive. Njeriu më i rëndësishëm për të është nëna e tij, me të cilën nuk mban asnjë sekret. Graciano është një djalë me një karakter të jashtëzakonshëm. Nëna e tij, Ornela, e ka lindur në moshë fare të re, kur ishte vetëm 16 vjeç. Praktikisht ata janë rritur bashkë. Pas ndarjes me bashkëshortin, Ornela ka bërë gjithçka që Gracianos mos t’i mungojë asgjë. Një nga gjërat më të çmuara për Gracianon është një varëse që ia ka dhuruar e ëma, dhe është shumë e rëndësishme për të.

Arbana e fton Gracianon të shkojë në dhomën e rrëfimeve, sepse ka diçka për të. Aty gjendet varësja e dhuruar nga e ëma dhe ai shprehet se varësja është diçka shumë e shtrenjtë për të dhe e ka marrë dhuratë për 18-vjetor.

DJ nga Gjermania

Është koha për t’u njohur me një tjetër konkurrent. Ai është Dj me profesion dhe jeton në Këln të Gjermanisë. Është 33 vjeç, emrin e ka Armando, por e ka ndërruar në Liam, pasi sipas tij, një Dj i famshëm duhet të ketë një emër që spikat. Ai është një person plot energji pozitive, që me siguri do t’i infektojë të gjithë në shtëpi. Arbana i kërkon Liam-it të ulet para monitorit pasi Vëllai i Madh ka zgjedhur disa foto të tijat për t’i komentuar. Fotot paraqesin pjesë të jetës së tij, si përshembull foto të eventeve ku ka luajtur, apo foto që paraqesin profesionin e tij të dytë si asistent sterilizues i mjeteve të operacionit.

 

Pas Liam-it, një tjetër konkurrente është Anila. Ajo është 22 vjeç e studion për biznes. Ka patur një jetë të vështirë, por nuk ka reshtur kurrë së ëndërruari. Big Brother është një ndër ëndrrat e saj. Konkurenti i fundit që do të hyrë sonte në shtëpi është Gjoni. Ai është nga Lezha, por jeton në Venezia. Është një mashkull sharmant e që adhuron veshjet e markës. Me profesion është trikolog, e madje Arbana pyet konkurrentët nëse e dinë se çfarë është ky profesion duke krijuar konfuzion tek ata.

Fundi i natës së parë, Elvisi, fle në dhomë me vajzat

Spektakli i natës së parë u mbyll me 15 konkurrentë, të cilët nuk janë ende banorë definitiv. Momentin që do të konfirmohen do ta vendosë Vëllai i Madh. Arbana u komunikoi konkurrentëve se këtë javë do të kenë buxhet të plotë, por duke filluar nga java tjetër, do t’u duhet të kalojnë disa prova për të fituar buxhetin e plotë. Në shtëpi ndodhet këndi i bankës, që si çdo vit ua ka bërë më të thjeshtë kryerjen e blerjeve dhe shpenzimeve.

Në shtëpinë e Big Brother janë 9 djem e 6 vajza. Vëllai i madh ka vendosur që njëri prej djemve do të flejë me vajzat. Për këtë do hidhet një short, e djali fatlum është Elvisi.

Konkurrentët

Albulena
Anila
Arjola
Besarda
Edgar
Elvis
Emirjeta
Erjon
Ermal
Florian
Gentiana
Gjon
Graciano
Liam (Armando)
Muhamet

Social Profiles