Sunday, October 16, 2011

Ermela: Jam e zhgënjyer pas daljes nga Big Brother


Inteligjente për t’u vetëmenaxhuar, dhe e pakursyer për të shprehur atë që mendon dhe ndien, pa e vrarë aspak mendjen nëse të tjerët do e paragjykojnë.

Pasi fitoi 100 milionët e dëshiruar nga kushdo, tashmë me fillimin e sezonit të ri televiziv, të gjithë fansat e Ermela Mezuraj do kishin pasur dëshirë ta shihnin në ndonjë ekran, me ndonjë emision televiziv, ashtu siç ajo e shprehu hapur si ambicie të saj, pas daljes si fituese nga loja. Në fillim u fol se ajo kishte goditur në shenjë dy herë, ndërsa drejtuesit e televizionit “Top Channel” kishin menduar për të, pozicionin e moderatores së spektaklit “Portokalli” pas largimit të Ami Toskës.
Tingëllonte si ide e realizueshme, përderisa Ermela, 25 vjeç, gjatë lojës së saj në “Big Brother” e kishte shfaqur një sens të veçantë humori, shquhej për oratori dhe batuta. Por kjo nuk u realizua, ndërkohë që Ermela vazhdoi t’i qëndronte besnike ambicies së saj, për të bërë një program në televizion, duke pohuar madje se televizioni ishte puna që ajo di të bëjë më mirë.
E diplomuar për Shkenca Sociale, ajo hyri në “Big Brother 4”, me një skedë të veçantë prezantimi, ku rendiste dhe eksperiencat e saj në një nga televizionet lokale të vendit si spikere lajmesh. Po ashtu ajo kishte provuar të ishte imazh në disa klipe muzikore.
Ndërkohë, pas daljes, përfshirjes së saj në fushatën zgjedhore të Lulzim Bashës, ajo punoi paralelisht për organizimin e mbrëmjeve të veçanta në lokale nate dhe kishte hyrë në bisedime për një program televiziv. Por ndërkohë që sezoni artistik ka lançuar pothuaj të gjitha programet e reja televizive, Ermelën nuk e pamë askund.
E pyetur nga “Panorama Plus” për këtë fakt, ajo pohoi: “Në të vërtetë jam në kërkim të një pune që të më pëlqejë, që ta bëj me pasion, dhe natyrisht televizioni mbetet prioritet. Jam në momentin që më duhet të normalizoj jetën time, pasi, edhe pse askush nga ish-banorët e BB s’e pranon, të kalosh një eksperiencë të tillë si “Big Brother”, nuk e është e lehtë.
“E pranoj, që të gjithë jemi përballur me një realitet të ri pas daljes nga ajo shtëpi. Të mësuar më lojën, dhe strategjitë për të fituar, kur dolëm ramë në një heshtje totale, aq sa na dukej sikur nuk ndodhte asgjë më. Mendon se kushedi çfarë realiteti dhe ofertash të presin, por kur asgjë nuk ndodh, realisht nuk ndihesh mirë”, shton ajo. Më tej shpjegon se “Ish-banorët e tjerë nuk kanë dëshirë ta thonë me gojën e tyre këtë fakt, por mendoj se asgjë të keqe nuk ka për t’u deklaruar publikisht.
Për të gjithë ne, periudha post-Big Brother na ka bërë të gjejmë vetveten në këtë realitet, dhe mendoj që kjo përpjekje vazhdon ende”. E pyetur për jetën e saj private, ajo pohon se është një çështje që dua ta mbaj për vete. Për momentin, qëllimi im është të sistemohem me një punë që dua ta bëj me pasion, dhe të vazhdoj rrjedhën normale të jetës, të tjerat nuk më interesojnë”.

0 comments:

Post a Comment

Social Profiles