Sunday, April 29, 2012

Babai i Françeskës: Vajza ime është e dashuruar me paratë

“100 milionët mund të bëhen mollë sherri për t’u ndarë nga Ermali”
Është një baba që nuk e konsideron vajzën e tij të vogël, përderisa i ka kaluar të 18-at. Tashmë që loja në “Big Brother 5” po arrin kulmin, ai kërkon diçka më shumë prej saj…. Ambicia e tij është që ajo të fitojë 100 milionët, qëllimi për të cilin ka hyrë në këtë lojë. Dhimitraq Jaçe rrëfen se sa jetëgjatë e sheh lidhjen e saj me Ermalin, dhe zbulon pasionin e Françeskës për paratë, përtej dëshirave të saj për karrierë të mundshme si juriste.
Kemi parë një dedikim të Françeskës për Ermalin, në 25-vjetorin e tij. I shkruante “Të dua!” Mendon se në këtë lidhje ajo bën gjithmonë më shumë për Ermalin, sesa ai për të?
Unë mendoj se ato çfarë ka shprehur Françeska ndaj Ermalit në atë dedikim, janë fjalët e saj të zemrës. Atë ka ndier dhe atë ka bërë, e në këtë kuptim s’ka asgjë të keqe për të menduar se ajo bën më shumë për të. Nëse do kishte qenë jashtë shtëpisë, do të kishte bërë shumë më shumë për Ermalin. Ju siguroj, kështu është tipi i saj.
Ka pasur mjaft skeptikë që kanë vënë në dyshim sinqeritetin e kësaj lidhjeje. Ti në rolin e babait i beson dashurisë së Ermalit ndaj vajzës suaj, si e komenton sjelljen e tij?
Çdo prind dëshiron të besojë në dashurinë e vërtetë të palës tjetër ndaj fëmijës së tij, por asnjëherë ne nuk mund të flasim me garanci. Për mendimin tim, Françeska ka hyrë në lojën e “Big Brother” për të fituar, dhe lidhja e saj me Ermalin ishte diçka që doli rrugës. Unë mendoj se Françeska në lidhje me Ermalin po bën atë që ndien, është e sinqertë dhe në këtë pikë ajo nuk po luan. Po ashtu, për sa i përket Ermalit, besoj që dhe ai ndien të njëjtën gjë. Megjithatë, kjo sërish është një pyetje shumë e vështirë për një baba.
Ka komente se ai po e luan bukur pjesën me Françeskën për të fituar sa më shumë pikë në lojë… Ke menduar ndonjëherë dhe ti kështu?
Me aq sa unë shoh në sjelljet mes tyre, mendoj se ata kanë rënë në dashuri tmerrësisht me njëri-tjetrin.
Çfarë mund të ndodhë që lidhja e tyre në rastin më të keq mund të pësojë krisje brenda lojës?
Mendoj që është momenti final i lojës së “Big Brother 5”, që mund të ndryshojë diçka mes tyre. Për 100 milionët nuk është çudi që ata të dalin kundërshtarë ndaj njëri-tjetrit, pasi jeta e ka vërtetuar që paraja i ndan njerëzit. Pavarësisht nga ndjenja që u ka lindur në bashkëjetesën e tyre në këtë garë, lufta për  të fituar paratë mund t’i kthejë papritur në rivalë, aq sa mund ta zbehë ndjenjën mes tyre. E them këtë duke qenë me këmbë në tokë, pasi në fund të fundit ata kanë hyrë për ato 100 milionë, dhe për asnjë arsye s’do të heqin dorë nga qëllimi fillestar.
Është Françeska e dhënë pas parasë, deri tani ajo është udhëhequr në jetë nga emocionet apo nga llogaritë?
Françeska e ka primare paranë në jetën e saj, në kuptimin që e kërkon me ngulm për të jetuar mirë në të përditshmërinë e saj, e të mos i mungojë asgjë. Por nëse do bëhej fjalë për ndjenjat, kam përshtypjen se ajo kërkon një të mesme të artë. Françeska kërkon të ketë afër personin që e do me zemër,  dhe ndërkohë ai njeri të jetë i shkathët dhe i zoti për të fituar para.
U fol shumë për një ish-të dashurin e saj, që ndodhet aktualisht në burg. Ç’mund të thuash?
Ishte vetëm një sajesë nga Françeska për të bërë xheloz Ermalin, që më pas u komentua në faqet e shtypit. Ermali është i pari në jetën e Françeskës dhe këtë e them me bindje. Janë keqkuptuar shumë njerëz në lidhje me një ish-të dashurin e vajzës që është në burg, por ju siguroj që nuk ekziston një gjë e tillë.
Tashmë që ajo e ka nisur një lidhje me Ermalin, çfarë drejtimi mendon se do marrë lidhja e tyre pas daljes nga shtëpia?
Nuk mund të parashikoj dot se sa jetëgjatë do të jetë kjo lidhje dhe çfarë drejtimi do të marrë. Mund të them se si baba i saj kam dëshirë që ata të kenë jetëgjatësi si çift, por gjithçka mbetet për t’u parë. Unë mund të theksoj se Ermali është i pari mashkull në jetën e Françeskës, dhe ai është me fat. Por varet se sa do të jetë në gjendje të dijë ta vlerësojë këtë fakt. Unë jam i bindur që nga ana e Françeskës ka dashuri të pastër, dhe ajo e ka shumë të vështirë ta lërë Ermalin, pasi lidhja e parë mbetet impresionuese për gjithë jetën. Lidhja e parë mund të krijohet shumë shpejt por mbetet fiksim, ndaj them se Françeska në këtë lidhje do të jetë gjithmonë e interesuar.
Nëse Ermali dhe ajo do të vendosnin të bashkëjetonin në Tiranë, ti do e mbështesje këtë zgjedhje edhe pse Françeska është vetëm 19 vjeç?
Patjetër që unë nuk mund të ndërhyj në vendimet e Françeskës. Ajo është e shkathët dhe e zonja vetë për të vendosur në gjithçka. Françeska nuk është larguar asnjëherë nga shtëpia jonë në Vlorë, përveçse 2 muaj që mori pjesë në garën e modeleve në Tiranë. Unë jam i mendimit që, edhe pse është 19 vjeç, ajo duhet t’i dalë zot vetë vetes së saj. Kështu që këtë gjë do bëjë dhe Françeska, unë kam besim tek ajo.
Deri tani cilin nga lojtarët sheh si fitues të “Big Brother 5”?
Për mendimin tim, Françeska është më afër finales dhe natyrisht pretendente kryesore për të fituar 100 milionët. Ajo është më e aktivizuar në debat, në punët e shtëpisë, bie në sy për edukatën dhe sjelljen e saj. Është e vetmja lojtare që, edhe pse është vetëm 19 vjeç, debaton për gjithçka pa problem dhe nuk ka asnjë kompleks.
Ndërkohë që deri tani thuhet se pretendent kryesor është dhe Ermali. Do të pëlqente të ishte fitues qoftë dhe ai?
Patjetër që ai është lojtar i mirë dhe deri në këto çaste nuk shoh ftohtësi apo ndonjë largim nga njëri-tjetri për shkak të konkurrencës. Por gjithsesi nuk mund të parashikoj asgjë, qoftë dhe për fituesin. Gjithçka mund të ndodhë, pasi ashtu si publiku, edhe unë jam kureshtar të di se çfarë do ndodhë mes tyre, dhe kush e fiton “BB5”. Për momentin jam tifoz i tyre, pasi më pëlqejnë si çift.
Ermali feston 25-vjetorin, Françeska i thotë për herë të parë “Të dua!”Kjo do të jetë ditëlindja e tij më e veçantë, në radhë të parë sepse mbush 25 vjeç, e në radhë të dytë sepse po e feston brenda shtëpisë së “Big Brother” e me një publik disa milionësh që i vëzhgon përditë. Ermali ka festuar me banorët dy ditë më radhë, teksa me 25 prill ka fikur 25 qirinj mbi tortë. Me sensin e humorit që e karakterizon, ai është ankuar se banorët nuk i kanë blerë dhurata apo të paktën t’i falnin ndonjë lek! Por për surprizën më domethënëse ka menduar Françeska, e dashura e tij me të cilën u lidh brenda shtëpisë.
Ajo ka shkruar me gur në oborr “100 vjeç, të dua shumë”. Kjo është hera e parë që Françeska i thotë Ermalit “Të dua”, paçka se në biseda ajo e ngacmon duke i thënë se këto fjalë ia tha vetëm ngaqë ka ditëlindjen dhe jo se i mendon vërtet. Por duket se kjo surprizë ka bërë jo pak efekt tek Ermali. Ai në dhomën e rrëfimit është shprehur se ndihet i mbushur plot, dhe nuk arrin as 30% ta shprehë lumturinë e tij, por ajo vajzë (Françeska) po e bën shumë për vete. Të shohim se si do të shkojë lidhja e tyre dhe, mbi të gjitha, nëse do të dalë parashikimi i babait të Françeskës, i cili në intervistë thotë që për para ata edhe mund të ndahen.

0 comments:

Post a Comment

Social Profiles