Saturday, April 28, 2012

Edgari BB5: Nuk jam racist, i besova gruan një çami

Liami është i pabesë në lojën që bën brenda me banorët


EdBB
Edgar Çani është një nga banorët më specifikë të “Big Brother 5”, jo vetëm për moshën por edhe eksperiencat e tij jetësore. Një njeri, i cili pavarësisht moshës tregoi se mund të luante njëlloj si një i ri në një lojë aq komplekse sa ajo që luhet në shtëpinë e “Vëllai të Madh’. Brenda shtëpisë ai pati një përplasje të fortë me Liamin, ku u “akuzua” për racizëm dhe ndarje krahinore. Në këtë intervistë ai rrëfen miqësinë e ngushtë familjare me shokun e tij të ngushtë, që është pikërisht nga Çamëria; origjinën e vet dhe njëkohësisht tregon më tepër për lojën e Liamit dhe pse mendon se ai është i pabesë. Edgari tregon se aty brenda ka edhe modele të rinjsh që duhen marrë shembull, si Françeska, Graciano dhe Ermali.

Edi, më thuaj pak gjithë përjetimet e tua në shtëpinë e “Big Brother”…


Fillimi ishte në një të panjohur, pavarësisht nga informacioni që kisha, po gjithsesi, çdo iniciativë e këtij dimensioni ka një pikëpyetje të madhe.

Në ç’sens ka pikëpyetje?

Ka pikëpyetje, sepse ke një bashkëjetesë të detyruar me një grup moshe që praktikisht i bie që mos të përshtaten me ty. Nuk mund të përshtaten me ty, kështu që i bie, sa i aftë je ti të afrohesh me atë grup moshe dhe të bashkëjetosh me ta, sidomos kur je i detyruar. Këto janë ato pikëpyetjet e para që në fund të fundit unë i zgjidha shumë shpejt. Ajo përshtypje, ai besim që kisha për veten time, që vërtet do përshtatem me ta, menjëherë e vërtetova. Por edhe nga ata kisha goxha mirëdashje në këtë pjesë, sigurisht në habinë e tyre që kishin një pjesëmarrës për herë të parë dhe u qëlloi pikërisht atyre në herën e  parë të tyre. Gjithsesi u kalua mirë. Me zhvillimet e kësaj, fillon që në fund të fundit duhet edhe të luajmë. Ata sipas perceptimit personal bënë lojën e tyre. Unë nuk kisha një  strategji. Strategjia ime ishte të tregoj këtë që kam, përvetësoj në gjithë jetën time dhe mesazhi që  kam dashur të jap ishte që: mosha jonë e rritur në një ambient krejt ndryshe me moshën e tyre, mund të jetë koherente me të rinjtë e tanishëm.

Je ndjerë ndonjëherë si babai i ndonjërit prej banorëve të shtëpisë?

Kjo është një përshtypje që shpesh më shkonte në mend, edhe pse i binte të ishte ndesh me garën. Megjithatë, unë nuk i bëja dot ballë kësaj gjëje. Nuk është sindromë, por përshtypje. E kam ndjerë. E kam ndjerë që në momentin e parë kur ka hyrë Françeska, e cila më ka thënë që “ty të kam vlerësuar shumë dhe do të doja me të vërtetë të përfitoja nga këshillat e tua”. Nuk mund ta harroja këtë pjesë. Kur je baba dhe ke moshatarët e fëmijës tënd, është e pamundur që ta eliminosh.

Loja jote dukej shumë mirë deri në momentin që dole dhe u riktheve në shtëpi. Mendon se ajo që ndodhi me Albanën të dobësoi deri diku?
Unë e mendoj ndryshe, sepse nëse do e kisha menduar kështu, do kisha bërë diçka për t’u rifutur në ritmin e mëparshëm. Unë mendoj se të tjerët menduan që Edgari me këtë që bëri u forcua shumë dhe kjo i bëri që njeriu që duhej sulmuar të isha pikërisht unë. Me të vërtetë, të më sulmoje mua brenda atij formati ishte e vështirë, sepse unë nuk ua jepja mundësinë. Nuk hyja në thashetheme dhe debate të kota dhe forca ime që përdora gjithmonë është aftësia ime, njohuritë e mia, eksperiencat, kultura dhe mirëdashja ime. Nuk më sulmonin dot, ndaj bënë një strategji tjetër. E kam fjalën për Liamin.

Meqenëse jemi tek Liami, kur e ndjeve që ai po të sulmonte egër?


Qysh në  momentin e parë që sulmoi. Ishte hera e parë që sulmonte hapur, e ndjeva këtë gjë. E ndjeva që ai po më sulmonte egër dhe unë prisja që të më sulmonte, por jo mbrapa krahëve.

Mbrapa krahëve, në ç’sens?

Është, si unë tani të flas për këpucët dhe ti të më thuash mua “ti po më quan injorant”. D.m.th, gjeti një shkak krejt absurd për të më sulmuar, siç ishte rasti i brumit që nxora nga goja.

Ngjarja që ka ardhur në publik ishte një lloj racizmi nga ana jote. Një lloj ndarjeje krahinore, për të cilën të është kundërvënë edhe Arbri. A të doli nga kontrolli situata për një fjalë që ndoshta të shkau?


Aspak. Jo vetëm sepse në atë format i vura qëllim vetes të jem i kontrolluar, jo për gjëra  parimore, po qoftë edhe për zhargon, qoftë edhe për gjuhën e përdorur. Mendoj se në këtë mes nuk ka gjëra për të ndryshuar.

Nëse do kishe kërkuar falje, mendon se do ta kishe fituar këtë përballje?


Këtë e kam thënë në debatin e dytë që më provokoi prapë kot. Liami e kuptoi që në të parin nuk kishte fituar betejën që donte dhe më provokoi prapë. Unë i ofrova të ulej në karrige meqë kishte vrarë gjurin dhe ai filloi sërish të thoshte se unë po e ofendoja. Në këtë  mes më sulmuan edhe Arbri me Metin. Unë ua shpjegova që nuk po sulmoja një krahinë. Kur ata më treguan për barcaletat me gjakovarët, edhe unë u përgjigja që edhe ne kemi cilësime të tilla për qytete të ndryshme. Unë absolutisht nuk kam asgjë me çamët, po kam vetëm me Liamin që i thashë: “Kjo që thuhet është si të jetë shkruar për ty”. Kjo është e gjithë pjesa.

A është treguar në fakt Liami i pabesë, dhe pse?

Po, ta themi kështu, sepse ai kurrë nukdelvetë edhe me të tjerët.  Hedh gurin dhe fsheh dorën, sepse përdor Arbrin, por edhe Gertën tani së fundi. Çdo gjë që është në gojën e Gertës ka qenë në atë të Liamit një natë përpara.

Duke e parë kështu lojën, a të duket Liami një strateg i mirë, duke dhënë imazh tjetër tek publiku ndërkohë që përdor të tjerët?

Nëse vërtet tek publiku jep një tjetër përshtypje dhe brenda është tjetër, atëherë i bie të jetë strateg i mirë. Po për mua, publiku e demaskon, e ka kuptuar sa tinëzar është. S’e di si mund të shkojë një person me të tilla gjëra drejt fitores së diçkaje kur nuk të sheh njëherë në sy.

Patët një debat me Arjanin, a u sqaruat?


Ajo që është dëgjuar në televizion, nuk kam pasur më rast.

Pse mendon se edhe Arjani e kishte marrë si të tillë debatin mes jush?

Jo, nuk është kështu. Unë e mendoj ndryshe. Nëse kam një audiencë që më voton mua, unë duhet të bëj që pjesa e lëkundur të vijë me mua. Unë do bëj lojën time në një kohë që opinionisti është shumë më i fuqishëm se unë për të lëkundurit. Atëherë, në qoftë se opinionisti jep votën hapur për të më nxjerrë mua nga “Big Brother”, atëherë të lëkundurit çfarë do bëjnë, sigurisht do jenë kundër. Unë mendoj se opinionisti është atje për të dhënë një profil sipas gjykimit të tij, nëse një banor është duke bërë një lojë, një strategji etj. Profilizimi i çdo banori është detyra e opinionistit, në mënyrë që të bëjë të ndërgjegjshëm njerëzit që t’i shohin me një sy tjetër banorët. Jo të japë votë të hapur, siç e dha për mua dhe për Grandiolën.

Duke parë banorët aty brenda, kush e përfaqëson më mirë rininë shqiptare?


Të them  të drejtën janë tre: i pari është Graciano, sepse është një  djalë që studion. Ka punuar që në moshë të vogël për një qëllim të vetin, d.m.th, është i qartë në idetë e tij, ka një synim dhe ka bërë çdo gjë të ndershme me djersë për të arritur shumë. Ia ka dalë, sepse është vetëm 20 vjeç dhe bën shkollën, është koreograf shumë i mirë me aq sa mund të them unë. Punon gjithandej dhe ka një biznes të tij. A nuk është një model i mrekullueshëm. Françeska, për pjesën femërore është një vajzë që ka filluar një aktivitet të saj falë bukurisë. E çon edhe aktiviteti, edhe mosha, edhe bukuria që të sillet si koketë. Ama ka grindë, ka dinjitet, zgjuarsi dhe oratori. Ermali, po ashtu një djalë që duhet marrë për shembull. Të sheh në dritë të syrit, t’i thotë gjërat përballë. Ka filluar të luajë pak tani, po prapë po bën lojë të ndershme. Unë nga ata kam marrë shumë. Nëse unë do të isha në finale tek për tek me Gracianon, do më dridheshin leqet e këmbëve, sepse është një njeri që me vlerat që njerëzit mund të më atribuojnë mua, ai mbase më superon për moshën që ka.

Do takohesh me Liamin jashtë për t’u sqaruar?


Nuk kam asnjë interes të merrem me të. Një njeri që ka menduar që mua mund të më kandisë për të më nxjerrë jashtë që ta qëlloj, sepse është një deklaratë që e ka bërë: “Dua t’i ngre nervat që të më qëllojë e të dalë nga loja”. E para, e falenderoj që më konsideronte të fortë dhe nuk më nxirrte dot ndryshe. E dyta, mendon ai që mund të kem një mendje si të atij.

Mendon se Liami të nxori jashtë?


Jo. Kini parasysh që unë mund t’i bëja bisht kësaj gjëje, por mendova me të  vërtetë që njerëzit e kanë mirë-interpretuar, sidomos pas deklaratës sime. Unë dua të bëj një deklaratë që të jetë e shkruar: Gruaja ime, në gjendjen që e lashë, sigurisht që mund të kishte emergjenca. Unë nuk kam as vëlla, as motër dhe ajo kishte vetëm një numër emergjence për çdo gjë. Dhe ai njeri është çam. E kam shok të ngushtë, shok bese. Ta shkruaj me të madhe, Shok Bese. I kam besuar gruan. Mos harroni një gjë, që prejardhja ime nga mamaja është nga këto treva. Edhe një gjë tjetër, unë kam qenë shok fëmijërie me katër zezakë të dikurshëm që kanë jetuar këtu. E kuptoni dot racizmin tim…! Në të qenit kështu, unë kisha shumë besim se njerëzit do më mirë-interpretonin.

Edi, miqtë si të kanë pritur?


Unë mendova që duhet të jem unë dhe kjo do jetë strategjia ime. Kështu që në këtë mes të gjithë miqtë nuk është se patën ndonjë zhgënjim nga unë. Sigurisht që kanë bërë edhe ndonjë shaka, vetë formati e lejon. Më kanë pritur shumë mirë. Janë krenarë me mua dhe më kanë thënë që e luajta mirë lojën time. Më kanë falenderuar për pjesën, që unë për hir të një çmimi nuk cedova në unin e integritetit tim.

Nuk je penduar që ishe në “Big Brother”, as për rikthimin pas asaj që i ndodhi Albanës?  


Jo, aspak. Kurse pjesa tjetër i atribuohet Albanës, sepse ajo më tha  shko deri në fund të lojës. “Nëse ke merak për pjesën fizike timen, më sheh që jam mirë”. Unë këtë fuqi të saj nuk kam për t’ia harruar për gjithë jetën. Po ashtu edhe vajzës, Melisës.

Ke fituar në çdo lojë, e konsideron një humbje “Big Brother” ?

Nuk arrita majat, sigurisht që i bie të kem humbur. Po ka një gjë… Ai nuk është format i ndërtuar mbi atë çka përfaqësoj unë, kështu që unë kam hyrë me këtë pikëpyetje të madhe, që e ka pasur më të madhe se në çdo sfidë tjetër. Por rezultati atë tregon.

0 comments:

Post a Comment

Social Profiles