Javën e kaluar, pas publikimit të fotove gjysmë të zhveshura të Gentës u hap një debat i gjatë mbi atë nëse ishte apo jo e drejtë që këto foto të botoheshin. Akuzat ndaj mediave që i botuan ishin të shumta. A duheshin botuar apo jo fotot nga jeta e saj private, ishte “molla e sherrit”. Në fakt duke marrë parasysh fotot që u botuan në gazetën “Mapo”, nuk mund të flasim për një shkelje etike.
Çdo gjë jo vetëm që ishte etike, por në asnjë rresht nuk ishin përdorur fjalë fyese apo emra përcaktues ndaj saj. Vërtet fotot e saj ishin private deri në momentin që ato u hodhën në një sajt që ka imazhe pornografike dhe nuk është aspak e tepërt nëse e quajmë të tillë. Një sajt me emrin “Fuckbook”, ku njerëzit hedhin foto nga jeta e tyre në intimitet, foto me pullë të kuqe.
Në momentin që Genta është tanimë një personazh publik dhe po vazhdon një lojë ku fituesi merr 100 milionë lekë, për çdo gazetar foto të tilla janë lajm. Duke dëgjuar deklaratën e nënës së Gentës kur tha se po përdhunohej jeta e së bijës, nuk mund të harrojmë se të gjithë jemi njerëz, por jetën private të Gentës e përdhunuan ata që i poseduan dhe i hodhën fotot në këtë sajt, dhe jo gazetarët e shtypit rozë, që të mirë apo të keq e “mbrojtën” duke mos i publikuar të gjitha. Për ta mbyllur do të sjell vetëm një paralelizëm nga një botë tjetër; në Amerikë Christopher Chaney, personi që kishte bërë publike mesazhe dhe foto intime duke hakuar telefonat dhe adresat e e-mailit të yjeve botërore, u dënua me 60 vite burg duke u shpallur fajtor. Në këtë rast Genta ka gjithë të drejtën e botës të ndjekë ligjërisht personin që ia bëri publike këto foto.
Po kujtojmë dhe njëherë etikën, nuk kishte asgjë fyese, asnjë hyrje për të vjedhur këto foto në shtëpinë e saj, as në e-mail, as në Facebook, asnjë hakim nga celulari. Thjesht, ajo çka ishte publike në web “e qëruar” nga skenat e rënda, u botua edhe në gazetë. Nuk kemi shkelur as etikën dhe as ligjin, por pakujdesia e një vajze të re për jetën e saj private nuk mund të bëjë që disa profesorë që japin leksione gazetarie të thonë që ishte abuzim. Në këtë rast abuzohet me të vërtetën dhe parimin e gazetarit të të botuarit atë që përbën lajm dhe është i vërtetë, jo fotomontazh.
Jonida Hitoveizi MAPO
0 comments:
Post a Comment